
Eurostat: Shqipëria mes vendeve më të prekura në Evropë nga ndotja e ajrit dhe varfëria në strehim
Shqipëria ende ka ekspozim të ulët ndaj zhurmës dhe urbanizim më pak të dendur, por gjendja mbetet shumë problematike me ndotjen e ajrit, riciklimin e mbetjeve dhe varfërinë në strehim.
Të dhënat e raportuara nga Eurostat në lidhje me SDG 11 - Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Qytete dhe komunitete të qëndrueshme), pasqyrojnë një tabllo me kontraste të forta për Shqipërinë në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit.
Nisma SDG 11 synon të rinovojë dhe planifikojë qytetet dhe vendbanimet e tjera njerëzore në një mënyrë që u ofron mundësi të gjithëve, me akses në shërbime bazë, energji, strehim, transport, menaxhim të mbetjeve, ajër të pastër dhe hapësira publike të gjelbra, duke reduktuar njëkohësisht përdorimin e burimeve dhe ndikimin mjedisor.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ende ka ekspozim të ulët ndaj zhurmës dhe urbanizim më pak të dendur, por gjendja mbetet shumë problematike me ndotjen e ajrit, riciklimin e mbetjeve dhe varfërinë në strehim, ku vendi ynë pozicionohet disa herë më keq se mesatarja evropiane.
Varfëria në strehim
Për Shqipërinë, problem madhor është varfëria në strehim. Në vitin 2018, rreth 23–24% e popullsisë raportonte mungesë të kushteve bazë në banesa; në 2023 kjo shifër ka rënë në rreth 20%, por mbetet gati pesëfish më e lartë mbi mesataren e BE-së që është vetëm 4%. Shqipëria renditet ndër vendet më të prekura në Evropë, krahas Turqisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndotja e ajrit dhe vdekjet e parakohshme
Një nga sfidat më të mëdha është ndotja e ajrit. Shqipëria raporton mbi 250 vdekje për 100 mijë banorë në vitin 2022 nga ekspozimi ndaj grimcave PM2.5, më shumë se katër herë mbi mesataren e BE-së që është rreth 60 vdekje. Ky tregues e vendos Shqipërinë mes vendeve më të prekura në Europë, krahas Serbisë (290 vdekje për 100 mijë banorë), Bosnjës (220 vdekje për 100 mijë banorë) dhe Maqedonisë së Veriut (210 vdekje për 100 mijë banorë).
Zhurma dhe mjedisi urban
Të dhënat tregojnë se vetëm 6–7% e shqiptarëve deklarojnë se vuajnë nga zhurma në shtëpi (2018), një shifër dukshëm më e ulët se mesatarja e BE-së prej rreth 18%. Në këtë drejtim, Shqipëria renditet ndër vendet më pak të prekura, krahas vendeve nordike.
Edhe në aspektin e zaptimit të tokës (hapësirës urbane), Shqipëria ka tregues shumë të ulët (rreth 1–2%), shumë poshtë mesatares europiane (2–3%) dhe shumë larg rasteve ekstreme si Malta (mbi 15%). Kjo lidhet me nivelin më të ulët të urbanizimit dhe intensitetit ndërtimor.
Riciklimi i mbetjeve
Nga ana tjetër Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të riciklimit të mbetjeve komunale, rreth 17–18%, ndërkohë që mesatarja e BE-së i afrohet 50%. Vende si Gjermania, Austria apo Sllovenia arrijnë mbi 55–60%. Ky hendek tregon se ekonomia qarkulluese në vend është ende në fazë fillestare. /ekofin.al
Më të lexuarat









